MISIONI I ZYRĖS SHIPTARE PĖR TĖ DREJTAT E AUTORIT
I. Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit është institucion qëndror, person juridik publik, në varësi të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e krijuar për të ushtruar veprimtari, në mbështetje dhe në zbatim të legjislacionit shqiptar për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
II. ZSHDA-ja e ushtron veprimtarinë në mbështetje dhe në zbatim të Kushtetutës, të legjislacionit shqiptar për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të në dispozitat e tjera ligjore e nënligjore në fuqi, si dhe në konventat e marrëveshjet e tjera ndërkombetare, ku Republika e Shqipërisë është palë.
I I I . ZSHDA-ja ka si objekt të veprimtarisë mbikëqyrjen dhe monitorimin e respektimit të të drejtave të autorëve dhe të të drejtave të tjera, të lidhura me të, nga subjektet, persona fizikë/juridikë, private a publike, përdorues të pronësisë letrare, artistike shkencore.
IV. Shqyrton dhe rregjistron çdo aplikim për rregjistrim të së drejtës së autorit dhe të drejtave, të lidhura me të, për subjektin aplikues, autor apo titullar i të drejtave të autorit mbi një vepër.
V. Depoziton të gjitha aplikimet, rregjistrimet dhe ndryshimet e të drejtave të autorit, të cilat i mban në bazën e të dhënave, që administrohen në Rregjistrin e të Drejtave të Autorit, një rregjistër ky dokumentar dhe elektronik.
VI. Çertifikon çdo marrëveshje apo kontratë, të lidhur dhe/apo të ndryshuar, ndërmjet palëve, subjekte të ligjit nr. 9380, datë 28.04.2005 “Për të drejtën e autorit dhe të drejta të tjera të lidhura me të”, ku objekt i kontratës janë të drejtat mbi veprën dhe/ose kalimin e të drejtave pasurore mbi veprën, në rast përdorimi, shfrytëzimi, riprodhimi, shpërndarjeje apo përcjellje në publik. Për
zbatimin sa më efektiv të ligjit pranë ZSHDA-së, rregjistrohen dhe çertifikohen të gjitha kontratat për kalimin, në formën ekskluzive, të të drejtave pasurore mbi një vepër, të çfarëdolloji, duke i pajisur me pullën artistike të gjitha kopjet e veprave, të cilat janë rezultat i riprodhimit nga një kopje origjinale.
VII. Ofron shërbime të specializuara, kundrejt tarifave të miratuara nga Këshilli i Ministrave për çdo subjekt të interesuar, bën ekspertizën dhe jep vlerësimin me shkrim për çdo rast konflikti ndërmjet palëve, që kanë objekt të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
VIII. Përcakton, me kërkesë të autorit, shpërblimin për kalimin e të drejtave pasurore mbi veprën, ndërmjet autorit dhe/ose titullarit të të drejtave të autorit dhe palës tjetër kontraktuese, sipas objektit të kontratës, në rast se ky shpërblim nuk është parashikuar shprehimisht në kontratën e lidhur ndërmjet palëve.
IX. Shqyrton dhe jep shpjegim përfundimtar, me shkrim, për kërkesën e autorit, për veprën që pretendohet se është përdorur, shfrytëzuar, ndryshuar, riprodhuar, shpërndarë apo përcjellë në publik, në kundërshtim me dispozitat e ligjit nr. 9380, datë 28.04.2005 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”.
X. Cakton ekspertët e së drejtës së autorit pranë organeve gjyqësore, sipas fushave përkatëse, mbështetur në dispozitat e Kodit të Procedurës Civile.
XI. Mbikqyr veprimtarinë dhe zbatimin e detyrimeve ligjore të agjencive të administrimit kolektiv të së drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të, dhe nëse vëren shkelje të detyrimeve ligjore, vepron në përputhje me nenin 116 të LDA-së.
XII. Shqyrton kërkesat e të interesuarve për t’u liçencuar në fushën e administrimit kolektiv të së drejtës së autorit, bën kontrollin e dokumentacionit të paraqitur, zhvillon hetim të plotë administrativ dhe i paraqet Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dosjen e aplikantit, relacionin dhe mendimin e vet për përmbushjen ose jo të kushteve për t’u pajisur me liçencë, në përputhje me nenin 108 të LDA-së.
XIII. Rregullon dhe çertifikon çdo kontratë të lidhur ndërmjet autorit/autorëve apo titullarit/ve të të drejtave të autorit dhe agjencisë së administrimit kolektiv të së drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura me të.
XIV. Vendos pullën artistike të ZSHDA-së dhe depoziton një kopje origjinale të mbajtësit fonografik/videogramit ose të mjetit të ngjashëm me të për riprodhimin e tyre, si dhe ushtron kontroll për respektimin e të drejtave të autorit, e prodhuesve apo shpërndarësve të kopjeve të autorizuara të fonogrameve, në përputhje me nenin 60 të ligjit.
XV. Bashkëpunon me organet tatimore, doganore, gjyqësore dhe me institucionet e tjera publike, si dhe me organizatat private, që perfaqësojnë përdoruesit e ndryshëm të pronësisë artistike, kulturore dhe shkencore për ato çështje që paraqesin interesat e përbashkët për mënyrën e respektimit dhe zbatimit të së drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
XVI. Vendos marrëdhënie bashkëpunimi me organizata të ndryshme dhe institucione homologe jashtë vendit.
XVII. Propozon për përmirësimin e akteve, ligjore dhe nënligjore, në fushën e së drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të dhe ia paraqet Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
XVIII. Boton buletinin periodik, ku jep informacione, analiza, studime dhe çështje të tjera të së drejtës së autorit dhe vë në dijeni publikun nëpërmjet Ëeb site-it për veprimtarinë dhe misionin që ka në fushën e të drejtave të autorit.





