ZSHDA pėrgenjeshtron spekulimet e AKDIE
ZSHDA përgenjeshtron spekulimet e AKDIE
Njoftim i Zyrës Shqiptare për të Drejat e Autorit
Duke dashur të sqarojmë, mbështetur në dokumentat ligjorë dhe financiarë të depozituar nga agjencia “AKDIE”, të gjitha konstatimet e paraqitura në shkresën Nr 1011 Prot., datë 24.09.2012, drejtuar Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për pezullimin e licencës së agjencisë “Albautor” dhe “AKDIE” në përgjigje të spekulimeve të agjencisë “AKDIE” sqarojmë si më poshtë:
· Agjencia “AKDIE” nuk ka realizuar asnjë shpërndarje të të ardhurave të grumbulluara nga përdoruesit te anëtarët, titullarë të të drejtave, detyrim që buron nga pika (d) e Nenit 112 të LDA dhe detyrimet që burojnë nga Neni 19, Neni 20 i Statutit të Agjencisë për asnjë vit kalendarik, që nga krijimi i saj në datë 04.04.2008, përveç shpërndarjes së anëtarëve të nderit me vendim të Këshillit Ekzekutiv, datë 10.10.2012.
· Agjencia “AKDIE” nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për të informuar Zyrën Shqiptare për të Drejtat e Autorit në lidhje me veprimtarinë e saj dhe bilancin financiar të detajuar,
detyrim që buron nga Neni 116, pika 1 me gjithë kërkesat e vazhdueshme shkresore të ZSHDA-së. Kjo agjenci ka depozituar në ZSHDA pasqyra financiare të cilat nuk pasqyrojnë qartë përdorimin e të ardhurave të grumbulluara, kur në mënyrë të vazhdueshme i është kërkuar nga Zyra plotësimi i dokumentacionit financiar, i cili pasqyron në mënyrë transparente menaxhimin e të ardhurave të mbedhura në emër dhe për llogari të anëtarëve të përfaqësuar nga agjencia.
Agjencia “AKDIE” nuk ka depozituar në ZSHDA bilance të detajuar, autorizime lëshuar subjekteve përdorues, fatura tatimore, si dhe konfirmim bankar për pagesën e kryer nga subjektet përdorues për vitin 2008, 2009, 2010. Agjencia ka depozituar për vitin 2011 një numër të kufizuar autorizimesh, ndër të cilat pjesa më e madhe janë të njëanshme dhe pa nëshkrimin e të autorizuarit, (akte të pavlefshme juridike) subjektit përdorues të pronësisë intelektuale i cili mbart detyrimin kundrejt agjencisë, si dhe ka depozituar blloqe faturash tatimore, të pavërtetuara me mandate derdhje bankare të tarifës së rënë dakord me subjektin përdorues, që të vërtetojë derdhjen e pagesës në numrit e llogarisë së agjencisë “AKDIE”.
· Agjencia “AKDIE” nuk ka depozituar listë të tarifave të miratuara pranë Zyrës Shqiptare për të Drejtat e Autorit, megjithë kërkesat e vazhdueshme të Zyrës për vitin 2008, 2009. 2010. Ka depozituar vetëm një metodologji përllogaritje të tarifave për vitin 2011 për të cilën subjektet përdorues të pronësisë intelektuale kanë shprehur kundërshti dhe paqartësi mbi këtë përllogaritje dhe shumën që duhet të paguajnë për përdorimin e pronësisë intelektuale, për kategorinë e veprave të mbrojtura nga agjencia në fjalë.
· Agjencia “AKDIE” pretendon se ka marrëveshje reciprociteti me agjenci të huaja që operojnë në fushën e së drejtës së autorit në disa vende të botës, ku përmend ndër të tjera agjenci amerikane dhe kanadeze për të cilat ka depozituar në ZSHDA marrëveshje të njëanshme bazuar vetëm në dakortësinë e shprehur në parim për bashkëpunim me agjencinë “AKDIE”, nëpërmjet postës elektronike, në kundërshtim të plotë me dispozitat ligjore në fuqi për lidhjen e kontratës/marrëveshjes së bashkëpunimit.
· Sa i përket thirrjes periodike të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Agjencisë, si organi më i lartë drejtues i cili shqyrton çështjet në lidhje me funksionimin dhe aktivitetin e agjencisë, në përmbushje të detyrimeve kundrejt titullarëve të së drejtës së artistit, parashikuar në Nenin 110 të Ligjit Nr. 9380, datë 28.04.2005 "Për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e tjera të lidhura me të" Zyra nuk është vënë në dije për realizimi e mbledhjeve dhe për aktet që pasqyrojnë zhvillimin dhe vendimin e tyre, përkatësisht për vitet 2008, 2009, 2010. Agjencia “AKDIE” ka informuar Zyrën për mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të vitit 2011 e cila ka patur si objekt vetëm ndryshimet statutore, emërime dhe shkarkime të pozicioneve drejtuese, por në asnjë rast nuk janë shqyrtuar çështje në lidhje me të ardhurat e grumbulluara dhe shpërndarjen e tyre titullarëve të së drejtës.
· Në vitin 2012 pas kërkesave të Zyrës, apo edhe në komunikimet verbale gjatë takimeve të realizuara në ZSHDA, agjencisë i është bërë me dije se në rast mospërmbushje së detyrimeve ligjore bazuar në VKM-në Nr. 232, datë 19.04.2006 “Për organizimin dhe funksionimin e ZSHDA” përkatësisht, pika 14, Nenit 116 të Ligjit Nr. 9380, datë 28.04.2005 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të” si dhe detyrimet statutore të vetë agjencisë, Zyra do të ndërmarrë procedurat ligjore, të tilla si propozimi për pezullim të licencës në zbatim të detyrave funksionale të institucionit.
Vetëm pas këtij njoftimi, agjencia në fjalë ka thirrur mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv i cili ka vendosur për shpërndarje të të ardhurave anëtarëve të nderit të agjencisë, duke trajtuar në mënyrë preferenciale këta anëtarë, dhe nuk ka diskutuar në këtë mbledhje çështjen e shpërndarjes së shumës së të ardhurave të grumbulluara nga subjektet përdorues të pronësisë intelektuale, titullarëve të së drejtës të cilët ia kanë kaluar këto të drejtat për administrim agjencisë. Pavërësisht, deklarimit të agjencisë dhe depoztimit të një liste anëtarësh nderi në ZSHDA, nukjanë depozituar mandat-pagesa të derdhjes së të ardhurave për llogari të këtyre anëtarëve. (Dokumentacioni i disponueshëm në Arkivin e ZSHDA-së).
Lidhur me deklarimin e agjencisë “AKDIE” mbi proceset penale të iniciuara kundrejt 1100 subjekteve përdorues të pronësisë intelektuale, për të cilat në shkresa të mëhershme drejtuar Zyrës, Ministrit dhe Kryeministrit se janë zgjidhur me pajtim 99% të rasteve gjyqësore, (procese penale) apo ka fituar proceset e iniciuara, kur në të vërtetë Gjykata nuk ka dalë me ndonjë vendim për pranimin e kallëzimeve penale dhe shumica absolute e këtyre proceseve janë rrëzuar dhe pushuar nga Gjykata. Në këto kushte për të njëjtën kategori përdoruesisht për të cilët ka ngritur padi penale ka depozituar në ZSHDA kërkesë për hetim dhe gjykim administrativ. Duke vazhduar konsideroj të arsyeshme të sqaroj se radioja lokale “Nacional” nuk është pronë e familjes Buçpapaj, siç genjen zoti Aliaj, por eshte pronë e vellait tim Z. Flamur Buçpapaj(Kjo mund të konformohet lehtesisht nga çdo perdoures i internetit në portalin e QKR-së), dhe ka përmbushur të gjitha detyrimet ligjore sipas legjislacionit në fuqi për funksionimin e këtij operatori. Përbaltja apo përdorimi i mbiemrit të familjes time është një shpifje dhe qëndrim emocional i zotit Aliaj, për të cilin do të mbajë përgjegjësi penale.
Me emërimin disa muja me parë, në detyrën e Drejtorit të Zyrës Shqiptare për të Drejtat e autorit kam marrë angazhimin për të zbatuar ndershmërisht Ligjin me qëllim monitorimin dhe respektimin e të drejtajtave të autorit në Republikën e Shqipërisë, pa lejuar asnjë agjenci të administrimit kolektiv të abuzojë me drejtat e garantuara nga licenca e administrimit kolektiv, si dhe duke informuar e ndërgjegjësuar përdoruesit e pronësisë intelektuale mbi detyrimet ligjore, e në rast mospërmbushje, ndëshkimin sipas Ligjit të shkelësve të të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura.
DREJTOR
MUJË BUÇPAPAJ





