Reagimi I Zyrės Shqiptare Pėr Tė Drejtat E Autorit Pas Trajtimit Tė Problematikės Sė Administrimit Kolektiv Tė Tė Drejtave Tė Autorit Dhe Tė Drejtave Tė Lidhura Nga Mediat

Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit në zbatim të Ligjit Nr. 9380, datë 28.04.2005 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të” ka njoftuar publikisht nëpërmjet mediave shqetësimin në lidhje me keqfunksionimin e agjencive të administrimit kolektiv, përfaqësuese të autorëve/titullarëve të së drejtës, për të cilat ka filluar një proces monitorimi i aktivitetit të tyre në raport me grumbullimin dhe shpërndarjen e të ardhurave tek titullarët e së drejtës, detyrim i cili buron nga Ligji dhe statutet e agjencive.  

ZSHDA e ka adresuar problematikën e agjencive për mospërmbushjen e detyrimeve ligjore dhe mungesën e transparencës, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, institucion përgjegjës, i cili ka marrë në shqyrtim çështjen dhe dokumentacionin përkatës ku evidentohen shkeljet ligjore të agjencive.

Nisur nga ky shqetësim, Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit, në ushtrim të kompetencave ligjore dhe bazuar në VKM-në Nr. 232, datë 19.04.2006 “Për organizimin dhe funksionimin e ZSHDA” përkatësisht, pika 14, Nenit 116 të Ligjit Nr. 9380, datë 28.04.2005 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”, i ka propozuar Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve pezullimin e licencës së agjencive “ALBAUTOR” dhe “AKDIE” për periudhën 6-mujore, parashikuar në pikën 2 të Nenit 116, si afat i fundit për përmbushjen e detyrimeve ligjore nga këto agjenci.

Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit mbetet e vendosur në angazhimin e saj për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura në terrritorin shqiptar, si dhe e vendosur për zbatimin me përpikmëri të Ligjit. ZSHDA mbetet e hapur për bashkëpunim me faktorët mbështetës dhe përgjegjës në zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale, angazhim i qeverisë shqiptare në përmbushje të detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit.